Komuna e Prishtinës ka dështuar sërish të votojë buxhetin e komunës për vitin 2025.
Nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj ka ftuar asamblistët komunal që të votojnë për buxhetin, derisa tha se ky buxhet është i të gjithë qytetarëve në Prishtinë, transmeton Telegrafi.
Kemi organizuar disa dëgjime buxhetore, me qytetarë, mjekë ekspertë, që të sigurohemi që buxheti është për nevojat e qytetarëve. Buxhet që vjen nga qytetarët dhe kthehet sërish nga ta. Buxheti përfshin investime në infrastrukturë, shëndetësi, gjelbërim etj”. Projektet e përfshira në buxhet, janë direkt të lidhura me qytetarët. Andaj, të dashur koleg, ky buxhet është për të gjithë. Dënimi për mos me votu buxhetin, është dënim për qytetarët. Duhet të mendojmë përtej bindjeve politike. Qyteti i Prishtinës na bashkon të gjithëve”, tha Zogaj.
Ndërsa, Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje tha se buxheti nuk është për interesat e qytetarëve, por vetëm i shërben interesave të LDK-së, prandaj nuk e votojnë.
“Të gjithë po pajtohemi se buxheti është i rëndësishëm, dhe ishte dashur të votohej në shtator. Akoma, nuk është votuar, kryetari mungon, na fton për përkrahje, sepse nuk e ka shumicën. Pse po na ftoni për mbështetje, për të filluar punë gjatë fushatës? cila është ftesa, çfarë keni bërë për të fituar votat? Ky buxhet i shërben vetëm agjendës së LDK-së, dhe nuk është prioritet i qytetarëve”, theksoi ai.
Kurse, Jeta Rafuna nga Lidhja Demokratike, tha se buxheti do të jetë për të gjithë qytetarët.
“Ftoj opozitën të mos e bllokojnë buxhetin për interesa politike, të gjitha projektet do t’i gëzojnë qytetarët”, pohoi ajo.
Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës potencoi se buxhetin është duke e bllokuar një koalicion shumicë, jo funksional.
“Këto janë pare që janë mbledhur nga qytetarët, që po i mendon për vete, për parti. Duhet t’i bëni publike projektet, dhe këto kërkesa që i keni marrë nga qytetarët si i keni nda. Këtë projektbuxhet e ka propozu kryetari, ai duhet të jetë këtu për me argumentu. Publikoni projektet, nuk mund ta leni komunën në borxhe, nuk kemi pse rrimi ma shumë në seancë, kur i zoti i shtëpisë nuk është këtu “, theksoi ai. /Telegrafi/