Komuna e Pejës, në bashkëfinancim me organizatën IADK, ka shpërndarë mekanizëm bujqësor për 59 fermerë të kësaj komune.
Sipas një postimi në Facebook, përfituesit e këtij projekti kanë marrë pajisje të rëndësishme për lehtësimin e punës së tyre bujqësore.
“Në kuadër të këtij projekti, janë mbështetur gjithsej 59 fermerë, ku 22 kanë përfituar freza 1.80 m, 22 të tjerë freza 2.0 m, dhe 15 spërkatëse”, ka njoftuar Komuna e Pejës në postimin e saj.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe përfaqësuesi i Organizatës Islamic Relief Kosova (IRK), Muhamed Soliman, kanë uruar fermerët përfitues, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla për përkrahjen e sektorit bujqësor.
Kryetari Muhaxheri siguroi se Komuna e Pejës do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që fuqizojnë fermerët lokalë, ndërsa Soliman falënderoi komunën për bashkëpunimin.
Ky bashkëpunim është pjesë e projektit “Fuqizimi Bujqësor për Popullatën e Cenueshme në Kosovë”.
Në javët e ardhshme do të vazhdojë shpërndarja e serave dhe mbjellësve të misrit për fermerët e Komunës së Pejës. /Telegrafi/