Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, së bashku me Drejtoreshën e DKRS-së, Liridona Shabani kanë mirëpritur përfaqësuesen e organizatës “Solidar Suisse” në një takim, ku u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Obiliqit dhe organizatës “Solidar Suisse” për implementimin e projektit “Let’s Debate Change”.
“Ky projekt ka për qëllim të ofrojë më shumë mundësi për të rinjtë e komunës sonë, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësitë e tyre në aktivizimin qytetar. Përmes debatit dhe aktiviteteve, synohet të nxitet përfshirja aktive dhe zhvillimi personal i tyre”, thuhet në njoftim.
Projekti do të zbatohet gjatë viteve 2025-2028 në Shkollën e Mesme Teknike “Ismail Dumoshi” dhe Gjimnazin “17 Shkurti”, me qëllim krijimin e një platforme edukative që fuqizon të rinjtë dhe përgatit ata për sfidat e së ardhmes.
Ky memorandum përfaqëson angazhimin e përbashkët për të investuar në rininë, duke promovuar qytetarinë aktive dhe zhvillimin social në Komunën e Obiliqit./Telegrafi/