Telegrafi

Komuna e Mamushës, MKRS e MZHR dakordohen për ndërtimin e Qendrës Kulturore dhe Rinore, vlera 1.7 milion euro

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç, të premten, ka njoftuar se me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka kanë nënshkruar marrëveshjen trepalëshe për ndërtimin e Qendrës Kulturore dhe Rinore.

Ai tha se ky projekt kapital parasheh krijimin e një hapësire multifunksionale që do ti shërbej komunitetit dhe artdashësve.

“Qendra Kulturore dhe Rinore do të jetë një qendër shumëfunksionale, me kapacitet të përgjithshëm për 400 persona, ku do të mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme në shumë fusha. Kur të realizohet ky projekt i rëndësishëm për Mamushën, do të kemi hapësira moderne ku të rinjtë tanë mund të zhvillojnë aktivitete kulturore, vende ku shoqatat tona mund të kryejnë aktivitetet e tyre në kushte të duhura dhe një qendër shembullore ku fëmijët tanë mund të avancojnë veten e tyre, ndërkohë që edhe aktivitetet e Komunës mund të zhvillohen në kushte më të mira”, ka njoftuar Krasniç, raporton Telegrafi.

Projekti i ndërtimit të Qendrës Rinore dhe Kulturore, sipas tij kap vlerën prej 1.7 milion euro dhe do të realizohet në bashkëpunim mes Komunës së Mamushës, Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.