Komuna e Malishevës ka arritur të bëhet njëra ndër komunat e përzgjedhura për programin e buxhetimit me pjesëmarrje, program i cili organizohet nga USAID.
Në një takim që kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, zhvilluan me përfaqësusesit e USAID-it, u diskutua përfshirja e Komunës së Malishevës në këtë projekt të rëndësishëm që do të implementohet për herë të parë në këtë komunë.
Kryetari Kastrati shprehu gatishmërinë e komunës për t’u përfshirë në program, duke theksuar rëndësinë e praktikës së buxhetimit me pjesëmarrje.
“Buxhetimi me pjesëmarrje është një praktikë e mirë që aplikohet në vendet e zhvilluara dhe na ndihmon neve si institucion që qytetari të jetë vendimmarrës në hartimin e projekteve për vendbanimet e tyre,” tha Kastrati.
Theksojmë që buxhetimi me pjesëmarrje shihet si një iniciativë do të rrisë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin e buxhetimit dhe do të forcojë transparencën në raport me qytetarët./Telegrafi/