Në Komunën e Malishevës, kanë filluar aktivitetet e parapara për shënimin e manifestimit “Epopeja e UÇK-së”. Këto aktivitete zhvillohen nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Sot, në të gjitha shkollat e komunës, orët e para të mësimit iu kushtuan “Epopesë së UÇK-së”, ndërsa u mbajt edhe një seancë solemne e Kuvendit të Komunës. Gjatë kësaj mbledhjeje, fjalë rasti mbajtën kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së në Malishevë, Feriz Krasniqi.
Në fjalimet e tyre, ata theksuan rëndësinë e këtij manifestimi, i cili përkujton lavdinë e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe sakrificën e Familjes Jashari. Ata kujtuan se 27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kjo familje luftoi dhe u flijua për lirinë e vendit. Po ashtu, ata folën për rëndësinë e kësaj beteje dhe kthesën historike që ajo paraqiti, ku një familje luftoi kundër një ushtrie të tërë, deri në flijim, duke u bërë një simbol i luftës për liri deri në çlirimin e vendit.
Pas kësaj mbledhjeje, u bënë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, në Kleçkë dhe në kompleksin memorial në Prekaz.
Aktiviteteve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe do të përmbyllen më 7 mars me ndezjen e zjarreve dhe flakadanëve në kompleksin “Kodra e UÇK-së” në Ngucat.