Komuna e Lipjanit pa i bërë matjet e nevojshme gjeodezike kishte asfaltuar rrugë e rrugica në fshatin Medvc, por në një rast pronari i një parcele e kishte kufizuar pronën personale duke u bazuar në matjet gjeodezike. Një pjesë e parcelës së tij përfshinte edhe pjesën e rrugës me asfalt. Ai kishte vendosur pengesa mbi rrugë për ta kufizuar pronën personale të cilën kohë më parë e kishte blerë nga një banor i këtij fshati.
Telegrafi ka kontaktuar me banorët e lagjes “Llugiqi”, lidhur me këtë çështje.
Bashkim Llugiqi, banor në këtë lagje, ka thënë për Telegrafin se kjo pronë në të kaluarën ka qenë e familjes së tyre, por atë e ka blerë një person më i largët.
Sipas tij, asfaltimi i kësaj rruge është bërë mbi rrugën ekzistuese, por që nuk e kanë ditur se ajo pjesë mund të jetë private.
“Ajo rrugë ka qenë e përbashkët e familjes sonë dhe komuna e ka asfaltuar më herët. Djali i axhës e ka shitur atë dhe kur janë bërë matjet me kadastër ka dalë që ajo është në pronë të tij. Ne si familje nuk e kemi bllokuar rrugën. Aty ka qenë rrugë e më hershme dhe komuna e ka asfaltuar ashtu sic ka qenë rruga ekzistuese. Ne si familje kemi bërë zgjidhje dhe kemi bërë matjet , kemi bërë kërkesa që të rregullohet rruga në komunë afër rrugës ekzistuese”, ka thënë shkurt Llugiqi.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me blerësin e ri të kësaj prone, por nuk ka qenë i qasshëm.
Në anën tjetër deri në momentin e raportimit, Telegrafi nuk ka pranuar përgjigje nga Komuna e Lipjanit lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/