Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir F. Ferati, ka pritur ne një takim përfaqësues të projektit INTEGRA dhe të Organizatës Gjermane ASB, me të cilët do ti shtyjë përpara projektet në fushën sociale të cilat do të realizohen me bashkëfinancim
Komuna e Istogut nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se një pikë kyçe e diskutimeve ishte “Qendra për Persona me Aftësi të Kufizuara”, e cila synon të ofrojë qasje më të lehtë në tregun e punës për individët me aftësi të kufizuara. Ky projekt është me rëndësi të veçantë për integrimin dhe mbështetje të këtyre individëve në aspektin profesional.
“Në këtë takim u bisedua edhe për një projekt ‘Qendra për persona me aftësi të kufizuara’, ku qëllimi i këtij projekti është që këtyre personave ti jepet qasja më e lehtë në tregun e punës”, kanë shkruar ndër të tjera transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë i dhanë edhe Qendrës për Angazhim të Komunitetit, e cila është aktive dhe ofron aktivitete të ndryshme për gratë në Komunën e Istogut, duke kontribuar në forcimin e angazhimit të komunitetit dhe mbështetje për gratë.
Vlen të përmendet se kryetari Ferati ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për avancimin e projekteve sociale dhe përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët.