Site icon Telegrafi

Komuna e Gjilanit shënon 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një sërë aktivitetesh

Komuna e Gjilanit ka festuar 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një sërë aktivitetesh.

Ky përvjetor u nis me hapjen e seancës solemne në Kuvendin Komunal në Gjilan, ku pos përfaqësuesve institucional, morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e familjarë të dëshmorëve.

Në këtë seancë, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se 17 shkurti është një pikë reflektimi mbi sakrificën, vlerën e lirisë dhe rrugën që na pret, duke shtuar se pavarësia është një rrugëtim i gdhendur në qenien e popullit tonë me mund, gjak dhe qëndresë.

Pastaj janë bërë homazhe tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan, me çrast Hyseni tha se gjaku i dëshmorëve, sakrifica e popullit dhe ëndrra e brezave bënë që sot të festojmë Kosovën, shtetin e lirë, të pavarur dhe krenar.

Në orën 11:00 është mbajtur koncerti festiv për fëmijë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, të organizuar nga kolegji Don Bosko.

Për nderë të kësaj feste, është zhvilluar edhe një turne futbolli i Veteranëve të Futbollit, në të cilin kanë marrë pjesë ekipe nga trevat shqiptare, si Drenica nga Skenderaj, Kumanova, Drita dhe Gjilani.

Gjatë kësaj ndeshje, kryetari Hyseni tha se këta futbollistë të njohur të dikurshëm po takohen në një ditë shumë të rëndësishme siç është 17 – vjetori i Pavarësisë së Kosovës, duke nderuar sakrificën e të gjitha atyre që kanë kontribuar ndër vite për këtë ditë të shënuar.

Për nderë të 17 vjetorit të pavarësisë, nga ora 17:00, është mbajtur edhe një koncert festiv i organizuar nga Ansambli i Këngës dhe Valleve në Gjilan.

Dhe, u përmbyll me ekspozitën personale të artistit Ramadani Arifi në Galerinë e Arteve në Gjilan. /Telegrafi/

Exit mobile version