Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ka inauguruar sot çerdhen në fshatin Dobërqan, një institucion parashkollor që do të ofrojë shërbime për 60 fëmijë.
Në ceremoninë e përurimit, kryetari i komunës, Alban Hyseni, shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve parashkollore në zhvillimin e fëmijëve.
“Jam shumë i lumtur që, ashtu siç kemi vendosur gurthemelin, sot jemi mbledhur për të inauguruar këtë çerdhe,” tha Hyseni.
Ai shtoi se edukimi i hershëm është vendimtar për nisjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve.
Kryetari Hyseni theksoi se kjo është çerdhja e dytë e inauguruar në komunë, pas asaj në fshatin Zhegër, ndërsa ky institucion i ri është gati për të nisur punën.
Ai gjithashtu paralajmëroi përurimin e dy çerdheve të tjera parashkollore në të ardhmen si pjesë e prioriteteve të komunës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e pranishme në ngjarje, vlerësoi çerdhen si një institucion me standarde të larta dhe të pajisur plotësisht për zhvillimin e procesit edukativ.
Ajo uroi fillim të mbarë për fëmijët dhe rikujtoi rëndësinë e edukimit të hershëm për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. /Telegrafi/