Komuna e Gjilanit u ka bërë thirrje tatimpaguesve të pronës që të paguajnë borxhet e tyre, në të kundërtën është e detyruar të veprojë përmes procedurave ligjore.
Në një komunikatë për media thuhet se ata të cilët kanë borxhe nga vitet paraprake, duhet të kryejnë pagesat në tërësi.
“Komuna e Gjilanit, kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e pronës, të cilët kanë borxhe nga vitet paraprake, të kryejnë pagesat në tërësi. Nëse debitori nuk paguan detyrimet tatimore të papaguara në datën e përcaktuar për pagesë, Komuna e Gjilanit, është e detyruar të veprojë sipas Ligjit nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe udhëzimit administrative”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se për këtë procedurë, për t’ia lehtësuar qytetarëve pagesën e borxhit, iu mundësohet nënshkrimi i marrëveshjes për pagesë prej 12 deri në 24 këste mujore.
Mirëpo, për këtë, duhet të lajmërohen qytetarët te zyrtarët e Tatimit në Pronë në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/