Me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të qeverisjes pjesëmarrëse dhe të angazhimit të qytetarëve në procesin e planifikimit të hershëm buxhetor komunal, Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Projektin DEMOS.
Projekti DEMOS, është një projekt i cili mbështet të gjitha komunat në Kosovë që të përmirësojnë qeverisjen lokale për të vepruar në mënyrë më demokratike dhe për të menaxhuar më mirë aktivitetet e tyre, dhe si i tillë ky projekt poashtu punon ngushtë me qeverinë qendrore për të përmirësuar politikat dhe për të forcuar sistemin.
Në njoftimin e bërë nga Komuna e Gjakovës, bëhet e ditur se përmes kësaj iniciative Komuna e Gjakovës po e konsolidon me tutje angazhimin e saj për të ofruar një administratë të hapur, të përgjegjshme dhe transparente, e cila i ofron qytetarëve të kësaj komune mundësinë të ndikojnë në proceset vendimmarrëse që prekin jetën e përditshme të komunitetit.
Ndër të tjera thuhet se një projekt i tillë do të krijojë më shumë mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve, duke ndihmuar gjithashtu në zhvillimin e një modeli të qeverisjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. /Telegrafi/