Prej disa ditësh qendrat e mjekësisë familjare në Dardani, Nerodime e Pleshinë në Komunën e Ferizajt nuk kanë funksionuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Ndërkohë, drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, ka intervenuar me urgjencë për të siguruar gjenerator me qëllim që qytetarët mos të mbesin pa energji elektrike.
Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë, ka thënë për telegrafin se pas disa ditësh që janë mbyllur këto tri qendra për shkak të mungesës së energjisë elektrike, tashmë janë rikthyer në funksion.
“Jemi obliguar me urgjencë të sigurojmë gjenerator dhe nga mëngjesi i së hënës (sot) ato janë rikthyer në funksion, por shpenzimet janë të mëdha për komunën. Ne kemi reaguar edhe publikisht ndaj KEDS-it lidhur me mungesën e energjisë elektrike, por pa sukses. Tashmë të gjithë qytetarët mund të marrin shërbime në këto qendra pasi që ka pasur edhe kërkesa nga qytetarët”, ka thënë Emini.
Në anën tjetër KEDS-i prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të telegrafit lidhur me mungesën e energjisë elektrike në regjionin e Ferizajt./Telegrafi/