Site icon Telegrafi

Komuna e Ferizajt organizon trajnim me gratë me temën “Integrimi gjinor dhe vlerësimi i ndikimit gjinor”

Komuna e Ferizajt ka vazhduar me aktivitete për fuqizimin e gruas dhe ndikimin e saj në fusha të ndryshme institucionale. Kjo komunë ka edhe zyrën e veçantë për barazi gjinore derisa drejtueset e saj kanë organizuar edhe trajnim të radhës me temën “Integrimi gjinor dhe vlerësimi i ndikimit gjinor”.

Kujtojmë që, ditë më parë kryetari i kësaj Komune Agim Aliu në një intervistë për telegrafin, ka thënë se në shumicën e sektorëve nëpër institucione publike dominojnë gratë, madje shumë prej tyre janë në krye të institucioneve. Sipas Aliut integrimi gjinor dhe vlerësimi i ndikimit gjinor në vendimarrje dhe në institucione të ndryshme ka një rëndësi të madhe pasi që gratë janë më të përgjegjëshme në të gjitha punët institucionale.

Po ashtu sipas Aliut, gratë në këtë komunë janë numër një në Republikën e Kosovës sa i përket bashkëpronësisë dhe kjo flet për afirmitetin, mbështetjen e pastaj edhe për sensibilizimin që ka bërë qeverisja e tyre duke i dhënë më shumë të drejta grave se sa meshkujve.

Ndërkohë trajnimi i së martës me temën “Integrimi gjinor dhe vlerësimi i ndikimit gjinor” i organizuar nga Komuna e Ferizajt pikërisht nga zyra për barazi gjinore dhe të drejta të njeriut në mbështetje të UN Women Kosovë në kuadër të zbatimit të projektit “Gender Equality Facility”, kishte për qëllim të diskutohej rreth Planit Lokal për barazi gjinore.

Besa Çarkaxhiu-Bibaj, zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Ferizajt, ka thënë se këto lloj trajnime janë shumë të nevojshme për zyrtarët komunal në mënyrë që gjithsecili të diskutojë në lidhje me këtë temë shumë të rëndësishme.

“Është thënë se trajnime të tilla janë shumë të mirë se ardhura për zyrtarët komunal. Ky trajnim është mbajtur në vazhdën e aktiviteteve të shumta në drejtim të barazisë gjinore, të parapara në Planin Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBGJ) 2024 – 2026 të Komunës së Ferizajt”, ka thenë ajo.

Ndërkaq, kujtojmë se kryetari Aliu në intervisten e fundit për telegrafin, pati sqaruar se fuqizimi i gruas nga mbështetja e qeverisjes së tij që nga fillimi ka qenë mjaftë dimensionale.

“Nivele të sektorëve mbizotërojnë femrat duke u nisur nga administrata komunale, pastaj sektori i arsimit gjithmonë ka qenë një sektor i mbështetur dhe sektor i dominuar nga gratë dhe vazhdon të jetë, por gjithmonë e shohim një lloj pamjaftueshmërie, për arsye se kemi qëllime dhe dëshira më të larta për të bërë më shumë edhe në aspektin biznesor. Ju e dini që Komuna e Ferizajt ka qenë komuna e vetme në Republikën e Kosovës e cila të gjithë fondin, qind për qind të fondit, për Zhvillim dhe për punësim e kemi ndarë për gratë dhe madje kemi thjeshtësuar procedurat e aplikimit në masën minimale sa për të pasur vetëm pothuajse një letërnjoftim për të aplikuar dhe për të marrë subvencione nga Komuna e Ferizajt’’, pati thënë Aliu. /Telegrafi/

Exit mobile version