Komuna e Ferizajt ka aktivizuar një komision për t’i vizituar të gjithë fermerët e kësaj komune të cilët pësuan dëme të mëdha nga breshëri, një ditë më parë. Ky komision gjatë ditës ka nisur vlerësimin e të gjitha dëmeve në terren dhe së shpejti do të dalin me raporte zyrtare për shumën e dëmeve. Në komunën e Ferizajt i kanë thënë Telegrafit se janë duke i shikuar mundësitë që shumë shpejtë të ndahet një buxhet i veçantë për t’i përkrahur të gjithë fermerët që pësuan dëme në kultura të ndryshme bujqësore.
Burim Bajrami, drejtor për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin, se breshëri ka shkaktuar dëme të mëdha një ditë më parë në disa lokalitete. Sipas tij, komisioni menjëherë ka nisur punën në terren për ta bërë vlerësimin e dëmeve dhe ndërkohë do të shikohen mundësitë për kompensim apo mbështetje.
“Fermerët kanë pësuar dëme nga breshëri në shumë lokalitete, por më të prekurit janë në fshatin Greme, Gaçkë dhe Varosh. Ne menjëherë kemi aktivizuar komisionin për të dalë në terren dhe për ta parë gjendjen. Në bazë të fotove të cilat i kemi pranuar nga fermerët në kultura të ndryshme bujqësore, vërehet se dëmet janë mjaftë të mëdha. Dëme të mëdha kemi edhe në serra derisa breshëri ua ka dëmtuar mbulesat shumë fermerëve. Ne si komunë jemi duke i shikuar mundësitë buxhetore që t’i mbështesim këta fermer pasi që disa prej tyre kanë pësuar dëme shumë të mëdha dhe u ka dështuar kjo sezon në disa kultura bujqësore”, ka thënë Bajrami.
Bajami ka kërkuar bashkëpunim me të gjithë fermerët që të lajmërohen në drejtorinë e tyre në mënyrë që komisioni vlerësues i dëmeve t’i viziton ata dhe t’i përgatit raportet zyrtare për dëmet e shkaktuara.
“Ne si komunë kërkojmë edhe mbështetjen e nivelit qendror pasi që besojmë se dëmet janë të mëdha dhe të pa përballueshme për buxhetin e Komunës”, ka shtuar Bajrami./Telegrafi/