Site icon Telegrafi

Komuna e Ferizajt merr vendim për mbështetje të fermerëve deri në gjysmë milioni euro për vitin 2025

Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Ferizajt gjatë ditës ka marrë miratimin nga Komiteti për Politikë e Financa lidhur me planifikimet buxhetore për ndarjen e subvencioneve për fermerët për vitin 2025. Propozimi i kësaj drejtorie në vlerë prej 500 mijë eurove, mori shumicën e votave nga kuvendarët.

Burim Bajrami, drejtor për bujqësi në këtë komunë, par përfundimit të mbledhjes në një intervistë për Telegrafin ka thënë se në vitin e kaluar ishin planifikuar 400 mijë euro për fermerët, ndërkaq sivjet është rritur shuma në 500 mijë euro.

Sipas Bajramit, fermerët e kësaj komune sikurse në vitin e kaluar do të përfitojnë edhe sivjet pajisje të ndryshme bujqësore dhe kushte të tjera për ta zhvilluar bujqësinë.

Po ashtu, sipas Bajramit , komuna do t’i përkrahë fermerët edhe në raste të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, nga vërshimet, zjarret kafshët e ngordhura, në fletishte e të tjera.

“Drejtoria për Bujqësi për vitin 2025 do të subvencionojë fermerët me mekanizim të ri bujqësor. Mekanizimi i ri bujqësor është mjeti i domosdoshëm për zbatimin e masave agroteknike te të gjitha kulturat bujqësore .Meqë është mjet i domosdoshëm,ai ndikon direkt në uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e të hyrave të qëndrueshme për ekonomitë familjare që merren me këtë veprimtari”,ka thënë Bajrami.

Sipas Bajramit, duke marrë vazhdimisht të dhëna nga tereni për sektorin e blegtorisë dhe analizuar mbi gjendjen e vështirë të prodhuesve të qumështit kjo drejtori për vitin 2025  do t’i subvencionoi të gjithë fermerët me nga 10 centë për një litër qumësht të prodhuar.

“Procesi I subvencionimit do të behet përmes thirrjes publike për të gjithë prodhuesit e qumështit. Ndërkaq, përveç kësaj, duke marrë për bazë kërkesat e shumta të fermerëve dhe duke parë rëndësinë e kultivimit të kulturave bujqësore në serra dhe jashtë tyre, drejtoria për Bujqësi këta kultivues këtë vit do t’i subvencionojë me pajisje- mekanizëm bujqësor për kryerjen e punëve në serra dhe jashtë tyre. Kultivimi i perimeve në serra dhe jashtë tyre kërkon angazhim të madh të fuqisë punëtore dhe pajisjet siç janë motokultivatorët me freze të cilat e lehtësojnë dukshëm veprimtarinë e kësaj kategorie duke zvogëluar angazhimin e fuqisë punëtore”, ka thënë Bajrami./Telegrafi/

Exit mobile version