Komuna e Ferizajt, ka ftuar të gjithë autorët e rinj dhe të pavarur për shtypjen e librave nëpërmjet një kompanie të cilën e ka kontraktuar komuna. Kjo iniciativë e ekzekutivit të Komunës ka për qëllim të ndihmojë autorët dhe të kontribuojë në pasurimin e kulturës dhe letërsisë në Ferizaj.
“Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj do të mbështesë autorët në procesin e shtypjes së veprave të tyre në të gjitha zhanret dhe fushat që i përmbushin kriteret për botim. Mbështetje përfshin financimin e kostove të shtypjes dhe lidhjes së librave. Në këtë proces, mund të aplikojnë autorë që kanë përfunduar dhe janë të gatshëm për të shtypur një vepër, por autorët duhet të jenë banorë të komunës së Ferizajt”, ka thënë drejtoresha e DKRS-së në Ferizaj Xhemile Murati.
Për këtë proces autorët duhet të plotësojnë një formular nëpërmjet internetit apo drejtpërdrejtë në Komunë dhe duhet bashkangjitur një CV apo letër motivimi që shpjegon rëndësinë dhe ndikimin e veprës së tyre.
“Vlerësimi i aplikimeve do të bëhet nga një komision profesional i përbërë nga anëtarë të Klubit Letrar “De Rada”, duke u bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe Klubit Letrar “De Rada”. Rezultatet e vlerësimit do të shpallen brenda një muaji pas afatit të dorëzimit”, ka thënë më tej Shabani.
Përfituesit e kësaj thirrjeje duhet të lënë nga 5 ekzemplarë në Bibliotekën e Qytetit “Sadik Tafarshiku”, 4 ekzemplarë për degët e bibliotekës në fshatra dhe 2 ekzemplarë në bibliotekën rinore në Ferizaj, dhe 5 ekzemplarë për Klubit Letrar “De Rada”.