Site icon Telegrafi

Komuna e Ferizajt hap dyert për pritjen e mërgimtarëve

Komuna e Ferizajt ka hapur dyert për mirëpritjen e mërgimtarëve gjatë sezonit veror.

Kryetari i kësaj komune Agim Aliu është zotuar se do t’i pres ata në takime të ndryshme me duar të hapura për t’i dëgjuar hallet e tyre dhe idetë e tyre për projekte në fusha të ndryshme të cilat mund t’i realizon komuna në të ardhmen, transmeton Telegrafi.

Rreth kësaj çështje kjo komunë ka organizuar edhe takime me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane për të organizuar aktivitete të ndryshme me rastin e ardhjes së mërgimtarëve.

Po ashtu edhe Policia e Kosovës në këtë Komunë janë mobilizuar për mirëpritjen e mërgimtarëve me aktivitete të ndryshme dhe me mesazhe që mërgimtarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë të festojnë pa armë gjatë ahengjeve familjare e, po ashtu të kenë kujdes edhe gjatë ngasjes së automjeteve në komunikacion.

Veçanërisht nga Policia është kërkuar që mërgimtarët të kenë kujdes dhe mos të ekspozojnë gjëra me vlerë nëpër vetura kur ato i parkojnë në parkingje publike, shkaku i ndonjë vjedhje që mund të ndodh.

Balton Dërguti, drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj ka thënë për Telegrafin se që nga data 30 korrik deri më 2 gusht të mbahet panairi i produkteve artizanale, ndërsa më 2 gusht do të organizohet një tryezë me bizneset nga diaspora dhe aktivitete të tjera për promovimin e turizmit, si ecje malore dhe aktivitete të tjera.

Ai ka shtuar se kryetari Aliu do të pres edhe bashkatdhetar të tjerë në takime sipas mundësisë kohore.

“Në takim së bashku me kryetarët e fshatrave kemi kërkuar që sa më shumë përfaqësues të diasporës që të jenë të pranishëm në aktivitetet që do të zhvillojë Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj gjatë këtyre ditëve, kur mërgata është më e pranishme. Këto aktivitete pritet të forcojnë lidhjet me diasporën dhe të nxisin zhvillimin ekonomik dhe turizmin në rajon”, ka thënë Dërguti. /Telegrafi/

Exit mobile version