Kuvendi Komunal në Ferizaj gjatë së premtes ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën me shumicë të votave është miratuar vazhdimi i marrëveshjes me “Caritas Kosova” me qëllim që çerdhja publike “Engjujt” të ketë një qëndrueshmëri më të gjatë të funksionimit.
Nga kjo marrëveshje komuna përfiton kursime buxhetore pasi që është e obliguar vetëm 70 për qind e shumës financiare t’i shpenzon për të gjitha shërbimet, ndërkaq 30 për qind të tjera i mbulon “Caritas Kosova”.
Në këtë çerdhe janë të sistemuar mbi 220 fëmijë dhe janë të punësuar rreth 60 punonjës të profileve të ndryshme.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në këtë komunë, ka thënë se marrëveshja krijon një mundësi, stabilitet dhe jetëgjatësi për punonjësit e kopshtit “Engjujt”, për fëmijët dhe për prindërit
Sipas tij, ka qenë kërkesë e prindërve që të vazhdohet kjo kontratë me “Caritas Kosova” derisa ky institucion publik po ofron kushte dhe mundësi të mira për fëmijët tyre.
“Marrëveshja është zgjatur për tre vjet dhe krijon qëndrueshmërinë e funksionimit të çerdhes publike “Engjujt”. Komuna për vitin 2025 është e obliguar të paguan sipas marrëveshjes 459 mijë euro apo 70 për qind të shpenzimeve, ndërsa 30 për qind i paguan “Caritas Kosova”. Kjo ka qenë edhe kërkesë e prindërve pasi që në këtë çerdhe publike ofrohen kushte shumë të mira dhe trajtim shumë i mirë për të gjithë fëmijët”, ka thënë Llabjani.
Sipas Llabjanit këto procedura me “Caritas Kosova” janë zhvilluar edhe në të kaluarën pasi që niveli qendror nuk ua kishte aprovuar kërkesat kësaj komune për rritjen e numrit të punonjësve në sistemin e arsimit. /Telegrafi.