Komuna e Dragashit ka publikuar listën e studentëve përfitues potencialë të bursave komunale.
Bazuar në këtë listë, nga studentët është kërkuar që të dërgojnë dokumentet e nevojshme në Drejtorinë e Arsimit, brenda afatit pesë ditor.
Ndërsa palët e pakënaqura me vendimin e Komisionit për Përzgjedhjen e Përfituesve të Bursave për Studentë janë udhëzuar që të parashtrojnë ankesë në Komisionin përkatës brenda 8 ditëve, raporton Telegrafi.
Në njoftimin e Komunës së Dragashit është publikuar edhe vendimi i kryetarit Bexhet Xheladini, me të cilin lejohen mjetet në shumë prej 500 eurove për 9 përfitues të bursës komunale nga komuniteti boshnjak dhe mjetet në shumën prej 420 euro për 101 përfitues të bursës komunale nga komuniteti shqiptar.
Aty sqarohet se mjetet mbulohen nga pozicioni buxhetor për subvencione i DKA-së, e cila obligohet edhe për zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/