Site icon Telegrafi

Komuna e Dragashit dhe KEDS-i pajtohen për bashkëfinancimin e projektit me vlerë mbi 770 mijë euro

Komuna e Dragashit ka njoftuar se ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me KEDS-in për financimin e projektit që parasheh përmirësime në rrjetin elektro-energjetik.

“Në ambientet e selisë qendrore të KEDS-it, është nënshkruar Memorandumi për Bashkëfinancimin e projektit me titull: ‘Rrjeti i TM 10(20) kV dhe TU 04 kV – Restelicë (Globoqicë/Krushevë/Restelicë) si dhe rrjeti TM 10(20) kV dhe TU 04 kV – Brod’”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini dhe Alpin Dogan nga KEDS, raporton Telegrafi.

“Kryetari Xheladini, që nga fillimi i mandatit të tij, ka zhvilluar disa takime me strukturat e KEDS-it për realizimin e këtij projekti. Informatën për dakordimin e KEDS-it për nënshkrimin e Memorandumit e kemi pranuar nga deputetja e Parlamentit të Kosovës, Duda Balje, e cila kishte zhvilluar takime të shumta me strukturat udhëheqëse të KEDS-it dhe ZRRE-së”, thuhet në njoftim.

Aty sqarohet se vlera totale e projektit është 772,040.87€, nga të cilat 55% e vlerës do të mbulohet nga KEDS-i dhe 45% e vlerës do të sigurohet nga buxheti komunal për komunitetin joshumicë përkatësisht pozicioni “bashkëfinancim me donatorë”.

“Procedurat e tenderimit për këtë projekt do të zhvillohen nga KEDS, ndërsa Komuna e Dragashit do të caktojë një organ mbikëqyrës. Implementimi i projektit pritet të fillojë sapo të krijohen kushtet e volitshme të motit dhe do të përfundojë brenda 18 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Pas nënshkrimit të memorandumit, sipas njoftimit, kryetari Xheladini ka kërkuar nga strukturat e larta të KEDS-it që të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e tensionit të rrymës, duke theksuar nevojën për investime në rrjetin e tensionit të ulët dhe në stacionet transformuese (trafostacione).

“Gjithashtu, ai shprehu pakënaqësinë për faktin që energjia e prodhuar nga hidrocentralet lokale nuk përdoret për nevojat e Komunës së Dragashit. Përgjigjja e KEDS-it ishte se aktualisht nuk ka mundësi teknike për realizimin e kësaj kërkese, derisa të vihet në funksion rrjeti 110 kV në Mejdan të Shajnes”, përfundon njoftimi i Komunës së Dragashit. /Telegrafi/

Exit mobile version