Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Deçanit, është miratuar buxheti për vitin 2025 me vlerën mbi 14 milionë e 401 mijë 935.00 euro, i cili u votua me 14 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dhënë nga anëtarët e Kuvendit.
“Mirënjohës dhe falënderues për të gjithë ju, anëtarët e Kuvendit Komunal, që votuat pro Buxhetit 2025. Urime të dashur qytetarë, për miratimin e këtij buxheti zhvillimor, që do të ndihmojë në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta”, ka shkruar Ramosaj transmeton Telegrafi.
Mbledhjen e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit Hajdar Sutaj, ndërsa të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, drejtorët e drejtorive komunale, zyrtarë të tjerë komunalë dhe përfaqësues të OJQ-ve. /Telegrafi/