Site icon Telegrafi

Komuna e Deçanit merr masa parandaluese për mbrojtjen nga zjarri në institucionet publike

Komuna e Deçanit ka nisur një projekt për rritjen e sigurisë kundër zjarrit në institucionet publike, në kuadër të kontratës “Furnizimi dhe mirëmbajtja e aparateve për shuarjen e zjarrit”.

Projekti, i realizuar nga Drejtoria për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, përkatësisht Sektori për Mbrojtje dhe Shpëtim, përfshin servisimin dhe mirëmbajtjen e aparateve ekzistuese kundër zjarrit si dhe furnizimin me pajisje të reja për të gjithë sektorët publikë të komunës.

Aparatet për mbrojtje ndaj zjarrit/ Foto nga Komuna e Deçanit, facebook

Nëpërmjet një postimi në Facebook, komuna njoftoi se është bërë furnizimi me 47 aparate të reja për mbrojtje nga zjarri.

“Deri me tani është bërë servisimi periodik i 266 aparateve për mbrojtje nga zjarri si dhe furnizimi me 47 aparate të reja. Afati i kësaj kontrate është për dy vite, ku gjatë kësaj periudhe do të vazhdojë me servisim, mirëmbajtje dhe furnizim me pajisje”, kanë shkruar ndër të tjera Komuna e Deçanit në postim.

Aparatet e vendosura ne institucione publike në Deçan/ Foto nga Komuna Deçanit, facebook

Ky projekt i jep prioritet njësitit të zjarrfikësve, objekteve publike dhe institucioneve shkollore, duke siguruar që të gjitha këto objekte të jenë të pajisura me masat e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve. /Telegrafi/

Exit mobile version