Site icon
Telegrafi

Komuna dhe “Hidroregjioni Jugor” pajtohen për investime në rrjetin e ujësjellësit në Suharekë dhe fshatra

Komuna e Suharekës ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” për realizimin e disa projekteve që synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në qytet dhe disa fshatra.

“Sipas marrëveshjes, do të realizohen këto investime: Rehabilitimi dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në Sllapuzhan – vlera e projektit: 311,807.55 euro; Hapja e puseve në Sllapuzhan dhe Nishor – vlera e projektit: 27,680.00 euro; Rehabilitimi dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në Suharekë (rrugët “Xhavit Sylaj”, “Idriz Seferi”, “Shaqir Tershana”, “Mejdi Xhaferi” dhe “Nebi Hodo Kuqi”) – vlera e projektit: 81,531.70 euro”, thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës, raporton Telegrafi.

Këto investime, sipas autoriteteve lokale dhe zyrtarëve të KRU “Hidroregjioni Jugor”, synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës së banorëve dhe të sigurojnë një furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.

“Investimet për mirëqenien e qytetarëve vazhdojnë”, ka bërë të ditur kryetari Bali Muharremaj. /Telegrafi/

Exit mobile version