Site icon Telegrafi

Komiteti për Politikë dhe Financa përcakton agjendën për mbledhjen e radhës të Kuvendit të Prizrenit

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku anëtarët kanë shqyrtuar dhe miratuar rendin e ditës për mbledhjen e dymbëdhjetë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Prizrenit.

Rendi i ditës i propozuar për mbledhjen që do të mbahet të enjten krahas pikave të rregullta përfshinë edhe shqyrtimin dhe miratimin e propozim-vendimit për miratimin paraprak të listës së përgjithshme dhe të veçantë të pronave të paluajtshme të komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2025, pastaj shqyrtimin dhe miratimin e propozim-vendimit për dhënien në shfrytëzim të objektit pronë komunale për raste të veçanta, atë për formimin e grupit punues për hartimin e Planit të punës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit, për vitin 2025.

Gjithashtu sipas njoftimit të Komunës në agjendë parashihet shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për miratimin e raportit të Komisionit Komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, pastaj shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për shpalljen e interesit të përgjithshëm publik, sikurse edhe shqyrtimi dhe miratimi i Planit Lokal të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore 2024-2026.

Në këtë mbledhje parashihet prezantimi edhe i raportit të punës së Kryetarit të Komunës për vitin 2024.

“Përveç pikave të propozuara, anëtarët e KPF-së gjithashtu rekomanduan që pika “Shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm ‘Zona e Parkut për Industri të Lehtë në Prizren – Parku i Biznesit’ sipas Hartës Zonale të Komunës së Prizrenit, sipas kërkesës së MMPHI-së” të shtohet si pikë shtesë në rendin e ditës të mbledhjes së Kuvendit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version