Telegrafi

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mund t’ia ndalojë Spanjës zhvillimin e garave ndërkombëtare shkaku i Kosovës

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) po shqyrton që t’iu rekomandojë federatave ndërkombëtare që të mos mbajnë gara në Spanjë përveç nëse qeveria në Madrid “ju garanton qasje jo vetëm të sportistëve të Kosovës, por të çdo atleti për të konkurruar”, tha zëvendëskryetari i IOC, Pere Miro për Inside The Games.

Mos-njohja e Kosovës nga Spanja po paraqet problem edhe për sportistët tanë që nuk po lejohen të përfaqësojnë vendin e tyre.

Në rast i tillë ishte edhe gjatë Kampionatit Botëror të Karatesë, ku në Madrid, atletët nga Kosova u lejuan të garojnë vetëm me inicialet e federatës së tyre, KKF, në pjesën e prapme të uniformave të tyre.

“Ne nuk mund të pezullojmë një vend dhe të themi se nuk mund të organizojnë ngjarje atje”, i tha ai gazetës.

“Por ne jemi krejtësisht të gatshëm të themi se dhe kjo është ajo që do të themi tani – federatat ndërkombëtare, përpara se t’i japin ndonjë garë ndonjë shteti, duhet të sigurohen që të gjithë atletët të jenë të mirëpritur, ku kjo përfshin edhe Spanjën”, shtoi ai.

Theksojmë se atletët e Kosovës u lejuan të marrin pjesë në Madrid, por u paraqitën me akronimin KKF (për Federatën e Karatesë të Kosovës) si dhe emrat e sportistëve u shfaqën në tabelat dhe ekranet pranë inicialeve WKF (për Federatën Botërore të Karatesë), në vend të emrit të tyre të vendit.

Ndryshe, Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Kjo mund të ndikojë në ofertën e përbashkët të Pirenejve, Barcelonë-Kataluni për të organizuar Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2030. /Telegrafi/