Telegrafi

Komisionin për Licencim i MKRS-së mbajti takimet me klubet e futbollit për detajet e fundit rreth licencimit

Zyrtarët e klubeve të futbollit sot kanë mbajtur një takim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çekun, zëvendësministren, Daulina Osmanin, si dhe kryetarin e Komisionit për Licencim, Fidan Shatrin.

FFK mbetet ende e pa licencuar, ndërsa së fundmi po punohet për rregullimin e dokumenteve të klubeve, pasi federata thuhet si tashmë i ka plotësuar.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, me qëllim të shqyrtimit dhe të vlerësimit të komenteve dhe kërkesave finale të Komisionit në lidhje me dokumentacionin e klubeve në procesin e licencimit të FFK-së”.

“Në këtë takim edhe një herë u vu në pah se FFK i ka plotësuar të gjitha dokumentet dhe kriteret për licencim, ndërkohë që klubeve u mbetet të plotësojnë vetëm disa detaje në dokumentacionet e tyre, e që sipas dinamikës mund të kompletohen qysh javën që vjen”.

“Gjatë këtij takimi u vlerësua se procesi i licencimit të FFK-së ka marrë më shumë kohë sesa zakonisht për shkak se FFK është federata më e madhe sportive në vend dhe ka numrin më të madh të anëtarëve dhe sportistëve në krahasim me çdo federatë tjetër”.

“Në bazë të asaj çfarë u shqyrtua dhe u diskutua në këtë takim, procesi i kompletimit të dokumentacionit edhe për klubet pritet të përmbyllet në javën që vjen, pasi që klubet sqaruan shumicën e komenteve me komisionin”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /Telegrafi/