Se sa shumë përjetohet një ndeshje futbolli në Egjipt, këtë më së miri e ka dëshmuar tragjedia që ndodhi dje (e hënë).
Menjëherë pas humbjes së Egjiptit nga Arabia Saudite, komentatori Adbel Rahim Mohamed, u nda nga jeta pasi pësoi një infarkt, shkruan The Sun, transmeton Telegrafi.
Ai ka ndërruar jetë në një spital në Kario, raportojnë mediat lokale egjiptiane.
Komentatori, i cili kishte qenë më parë edhe futbollist, u ndje keq të hënën në mbrëmje pas golit vendimtar të Al Mausarit të Arabisë Saudite.
Ai u dërgua menjëherë në spital, por mjekët thanë se ishte shumë vonë për ndërhyrje.
Ish-trajneri i Zamalekit ishte i ftuar të jepte analiza në studio, në një nga emisionet në televizionin shtetëror egjiptian.
Egjipti mori epërsinë në ndeshjen kur Salah shënoi golin e tij të dytë për këtë kampionat, në ndeshjen kundër Arabisë Saudite.
Portieri i Egjiptit, Essam El Hadary, bëri historinë duke u bërë lojtari më i vjetër që luajti në Kupën e Botës në moshën 45 vjeçare.
Ai arriti të shpëtojë më së miri një gol të rrezikuar nga Fahad Al Muwallad në pjesën e parë të ndeshjes.
Por, ai nuk mundi të ndalonte një goditje të dytë të Arabisë Saudite nga Salman Al Faraj.
Arabia Saudite fitoi në rezultat 2-1, duke e lënë Egjiptin ende pa një fitore të Kupës së Botës. /Telegrafi/