Telegrafi

Kombëtarja e Italisë e natyralizon futbollistin brazilian, pritet debutimi i tij ndaj Shqipërisë (Foto)

Kombëtarja e Italisë është duke kërkuar me çdo kusht natyralizimin e një futbollisti brazilian.

Fjala është për mbrojtësin e Romës, Emerson Palmieri që ka shkëlqyer këtë vit me fanellën e gjigantit italian.

Sipas ‘Sky Sports’, Italia ka bërë kërkesë në FIFA që ta natyralizojë brazilianin, transmeton Telegrafi.

Emerson ka zhvilluar 14 ndeshje me Kombëtaren e Brazilit U17 dhe nuk pritet të ketë problem për ta ndërruar mjedisin.

22-vjeçari është ndjekur në disa ndeshje nga afër nga trajneri Ventura i cili është impresionuar me cilësitë e tij.

Emerson duke festuar golin e tij me Romën të shënuar javë më parë

Italia shpreson që FIFA t’i kthejë një përgjigje pozitive para ndeshjes me Shqipërinë që lojtari të jetë i gatshëm.

Në rast se FIFA i kthen përgjigje pozitive, Ventura pritet ta inkuadrojë nga minuta e parë mbrojtësin në takim ndaj Shqipërisë.

Emerson ka zhvilluar 28 ndeshje në të gjitha garat me Romën këtë edicion dhe ka shënuar një gol ndërsa ka bërë tre asistime.

Ai u transferua në kampionatin italian në vitin 2014, për të qëndruar një vit te Palermo para se ta transferojë Roma për dy milionë euro nga Santos.

Edhe më parë Italia ka natyralizuar lojtarë brazilian si Thiago Mota e Eder. /Telegrafi/