Site icon Telegrafi

Kolumbia mposht Poloninë dhe shpreson në kualifikim

Festa e lojtarëve të Kolumbisë (Foto: Getty Images)

Kolumbia e ka regjistruar fitoren e parë në Kampionatin e sivjetmë Botëror duke fituar me rezultat 3-0 kundër Polonisë në Kazan Arena.

Gjysma e parë nuk prodhoi shumë raste shënimi, mirëpo rezultati u zhbllokua në minutën e 40-të të takimit.

Yerry Mina e shënoi golin e parë (Foto: Getty Images)

James Rodriguez shfaqi aftësitë e tij teknike duke bërë një harkim të bukur në zonë, të cilin e priti Yerry Mina për të shënuar me kokë.

Në pjesën e dytë, mundësi për të rrezikuar patën Rodriguez nga njëra anë dhe Robert Lewandowski në anën tjetër, por asnjëri nuk ishte efektiv.

Radamel Falcao shënoi golin e dytë (Foto: Getty Images)

Kolumbia e dyfishoi epërsinë në minutën e 70-të. Juan Quintero asistoi te Radamel Falcao, i cili doli i vetëm para portierit kundërshtar dhe e mposhti.

Vetëm pesë minuta më pas, James dhuroi një tjetër asistim të bukur, këtë herë drejt Juan Cuadrados, i cili shënoi golin e tretë të përfaqësueses së tij (75′).

Juan Cuadrado ishte njëri prej golashënuesve (Foto: Getty Images)

Me këtë fitore, Kolumbia numëron tri pikë në Grupin H dhe ndeshjen e fundit grupore, kundër Senegalit, do ta ketë betejë të drejtpërdrejtë për kualifikim në 1/8 e finales. Kolumbianët kualifikohen vetëm me fitore, derisa senegalezëve u mjafton edhe barazimi.

Nga ana tjetër, Polonia është përshëndetur nga Kampionati Botëror dhe do ta zhvillojë vetëm edhe ndeshjen e fundit grupore kundër Japonisë së motivuar që i mjafton vetëm një barazim për të vazhduar tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version