Telegrafi

Koalicioni “Vakat”: Viti i ri shkollor po shoqërohet me probleme në mësimin në gjuhën boshnjake

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak kanë shprehur shqetësimin lidhur me vështirësitë për zhvillimin e duhur të mësimit në gjuhën boshnjake në fillim të vitit shkollor. Sipas tyre MASHTI duhet të marrë masa për trajtimin e barabartë të nxënësve dhe prindërve të këtij komuniteti.

Kryetari i Koalicionit “Vakat”, Rasim Demiri përmes një reagimi ka theksuar se fillimi i vitit shkollor po shoqërohet me probleme serioze sa i përket mësimit në gjuhën boshnjake, në nivel të Kosovës, raporton Telegrafi.

“Në shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën boshnjake mungojnë shumë tekste shkollore të nevojshme, gjë që e vështirëson ndjeshëm procesin arsimor cilësor për nxënësit tanë”, ka bërë të ditur Demiri.

Sipas tij, edhe ato tekste shkollore në gjuhën boshnjake që mund të gjenden në librari janë më të shtrenjta në krahasim me tekset në gjuhën shqipe.

“Tekstet në gjuhën boshnjake që gjenden në librari janë shumë më të shtrenjta se të njëjtat tekste në gjuhën shqipe. Ky dallim në çmim paraqet një pengesë të madhe për prindërit dhe nxënësit, duke e bërë arsimin më pak të qasshëm për komunitetin boshnjak që i ndjek mësimet në gjuhën boshnjake”, ka shkruar Demiri.

Lidhur me këtë situatë ai ka kërkuar reagim nga MASHTI, raporton Telegrafi.

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës që të reagojë sa më shpejt, të konstatojë gjendjen faktike në terren dhe ti marrë masat e nevojshme për të siguruar një numër të mjaftueshëm të teksteve shkollore me çmime të volitshme për të gjithë nxënësit dhe prindërit”, është shprehur kryetari i koalicionit “Vakat”.

Tutje është shprehur optimist se niveli qendror do ta merr parasysh këtë shqetësim.

“Besojmë se Ministria e Arsimit do të njohë rëndësinë e kësaj çështjeje dhe do ti ndërmarrë hapat për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate”, ka përfunduar Demiri. /Telegrafi/