Site icon Telegrafi

Koalicioni “Vakat” kërkon përfaqësim të gjuhës boshnjake në ueb faqen e re të Komunës së Prizrenit

Anëtari i Kuvendit të Komunës nga radhët e Koalicionit “Vakat”, Sead Arifi ka shprehur qëndrimin se gjuha boshnjake duhet të jetë e përfaqësuar në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit.

Arifi ka shprehur shqetësimin lidhur me faktin se ueb faqja e re zyrtare e Komunës së Prizrenit nuk është e qasshme në gjuhën boshnjake, ndonëse boshnjakët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Komunës.

“Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, boshnjakët përbëjnë 12% të popullsisë së Prizrenit, ndërsa gjuha boshnjake është gjuhë zyrtare në institucionet komunale”, thuhet në reagimin e tij.

Këshilltari boshnjak ka shprehur qëndrimin se ky neglizhim përbën një shkelje serioze të të drejtave ligjore dhe kushtetuese të komunitetit boshnjak.

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve përcakton qartë se të gjitha institucionet publike në Kosovë duhet të sigurojnë përdorimin e barabartë të gjuhëve zyrtare në të gjitha komunikimet e tyre, përfshirë edhe platformat digjitale”, ka përkujtuar ai.

Në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje autoriteteve komunale që të marrin masa urgjente për të korrigjuar këtë mangësi.

“Presim që gjuha boshnjake të jetë e përfaqësuar në mënyrë të barabartë në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit, si dhe në të gjitha komunikimet e tjera zyrtare. Në të kundërtën, do të detyrohemi të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, duke përfshirë adresimin e çështjes te Avokati i Popullit dhe institucionet e tjera përkatëse. E drejta për gjuhën është e drejtë themelore e njeriut dhe nuk do të lejojmë që ajo të anashkalohet”, thuhet në reagimin e Arifit nga Koalicioni “Vakat”.

Komuna e Prizrenit rishtazi ka lansuar ueb faqen e re zyrtare, dhe aktualisht aty figuron në një vend opsioni për gjuhën serbe dhe boshnjake. /Telegrafi/

Exit mobile version