Site icon Telegrafi

Klubi shqiptar i Maqedonisë së Veriut do të tentojë të sjellë Mathieu Valbuenan, pasi dështoi ta afronte Ricardo Quaresman

Futbollisti i njohur francez Mathieu Valbuena mund të zbarkojë në Maqedoninë e Veriut në fund të stinorit aktual, e ku nga mediat po konsiderohet si bomba më e madhe e transferimeve në historinë e futbollit të këtij vendi.

Sipas gol.mk, Valbuena është afër nënshkrimit për ekipin e Gostivarit, tek i cili do të arrijë nga Apollon Limassol.

Gostivari është futur këtë vit në elitën e futbollit maqedonas dhe ka pronarë të pasur nga Turqia.

Edhe këtë verë ky klub bëri disa transferime të mëdha, ndaj ndër të tjera solli turkun Alper Potuk nga Rizespor, futbollist i cili dhjetë vite më parë bëri një transferim për 7 milionë euro te Fenerbahçe, ku ishte për një kohë edhe kapiten.

Gostivari këtë verë tentoi të sjellë në radhët e veta edhe Ricardo Quaresman, por bashkëpunimi me portugezin nuk u arrit.

Lexo po ashtu Karim Benzemas i sekuestrohen me forcë 230 mijë euro dhe iu bllokua xhirollogaria për shkak të aferës “Sextape” me Valbuenan

Valbuena luajti 52 ndeshje për kombëtaren franceze dhe shënoi 8 gola, ndërsa për sa i përket klubeve, ai la gjurmët më të mëdha në Marseille me 330 paraqitje, 38 gola dhe 58 asistime.

Ai luajti edhe për klube si Dinamo Moska, Lyon, Fenerbahce dhe Olimpiacos./Telegrafi/

Exit mobile version