Klubi i Karatesë “Arena” nga Peja ka arritur një sukses të madh në Turneun Memorial Ndërkombëtar të karatesë “Adem Jashari” duke u stolisur me pesë medalje të argjendta dhe shtatë të bronzta.
Sipas një postimi në Facebook nga Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport kanë bërë të ditur fitimin e gjithsejtë 12 medaljeve nga Klubi i karatesë Arena.
“Për të nderuar figurën madhore të heroit tonë legjendar ishin tubuar karateiste e karateistë nga trevat mbarëkombëtare, e në mesin e tyre ishin edhe garueset e Klubit të Karatesë ‘Arena’ Pejë, dhe ishin klubi më masiv i komunës së Pejës dhe rrafshit të Dukagjinit. Në këtë turne garuesit tonë përsëri shkëlqyen duke u stolisur me 12 medalje të radhës, ku nga to u fituan 5 medalje të argjendta (Tituj të Nen kampionëve) dhe 7 tituj me medalje të bronzta. Në këtë garë po ashtu e ndau drejtësinë me shumë autoritet trajneri i klubit tonë, referi i mirënjohur Bajram Desku. Rezultatet e vazhdueshme tregojnë punën profesionale të stafit të trajnerëve dhe përkushtimin e madh të kryesisë së klubit”, kanë shkruar ndër të tjera Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport.
Kjo arritje e Klubit të Karatesë “Arena” është një dëshmi e punës dhe angazhimit të vazhdueshëm të stafit dhe drejtuesve të klubit, duke e pozicionuar atë si një nga klubet më të suksesshme në rajon.