Site icon Telegrafi

Klubi i famshëm anglez mund të gjobitet për një transferim të kryer 15 vite më parë

Vetëm pak ditë pasi Evertonit iu hoqën dhjetë pikë për shkelje të rregullave financiare, Tottenhami mund të përballet me një dënim të ngjashëm.

Siç raporton mediumi anglez The Times, Tottenham duhet të gjobitet për transferimin e futbollistit legjendar Jermaine Defoe në janar të vitit 2008, në të cilin mori pjesë agjenti i palicensuar Mitchell Thomas.

Pothuajse 16 vjet më parë, Defoe u transferua nga Tottenham në Portsmouth për 9.3 milionë euro dhe vetëm tani u zbulua se i përfshirë në këtë marrëveshje ishte pikërisht Mitchell.

Kjo është arsyeja pse Federata e Futbollit të Anglisë është e gatshme të rishikojë gjithçka që ka ndodhur në janar 2008, provat do të shqyrtohen dhe është e sigurt që pasojat do t’i bartin të tre palët e përfshira në transferim – Tottenham, Portsmouth dhe Defoe.

Është gjithashtu interesante se Defoe u kthye në Tottenham nga Portsmouth në janar 2009 për 16.4 milionë euro, kështu që klubi londinez humbi rreth 7 milionë euro nga ai në më pak se një vit.

Për shkak të një situate identike me një agjent të palicensuar, pak vite më parë, Lutoni, sot anëtar i Ligës Premier u gjobit me dhjetë pikë.

Defoe ka 361 paraqitje me fanellën e Tottenhamit ku ka shënuar 140 gola dhe ka bërë 31 asistime. Ai gjithashtu u paraqit edhe me kombëtaren e Anglisë, ku në 56 paraqitje ishte autor i 20 golave.

Aktualisht Tottenhami gjendet në pozitën e katërt në elitën e futbollit anglez me 26 pikë të grumbulluara dhe një dënim i mundshëm me heqje të pikëve, do t’i dhuronte atyre një ‘goditje të rëndë’ në luftën për t’u kualifikuar në garat evropiane./Telegrafi/

Exit mobile version