Klubet e Premier të interesuara. Paraqitjet e fundit dhe derbi kanë bërë që të bjerë në sy. Por, bardhekaltërit e shohin titullarin e portës vitin tjetër
“Strakosha ka kryer disa mrekulli, do t’i jepja mundësi të ishte titullar sezonin e ardhshëm”.
Edhe pse e ka thënë ish-trajneri i Lacios, Materaci, është ajo që mendojnë të gjithë tifozët bardhekaltër në lidhje me paraqitjen e portierit shqiptar në derbi, teksa shtypi italian e ka vlerësuar më të mirin, bashkë me Lukakun dhe Keitan.
Edhe Eugenio Faccheti, ish-trajneri i Barit, e ka pranuar se kemi të bëjmë me një talent të vërtetë. Debutimi i tij me Shqipërinë në “Renzo Barbera” të Palermos u pa si mosbesim ndaj Alban Hoxhës, te kombëtarja, por e vërteta është se shumë shpejt, Strakosha do të marrë edhe vendin e Etrit Berishës, që do të rikthehet pas ndeshjes me Izraelin (kur mbaron edhe skualifikimi), shkruan Sport Eskpres.
Por, tashmë lind një tjetër problem dhe ka të bëjë me merkaton. Përpara disa muajsh ishte Cardifi ai që këmbënguli dhe i ofroi edhe një rrogë të rëndësishme djaloshit (rreth 500 mijë euro në sezon), ndërsa tashmë mund të hyjnë në garë skuadra të tjera të Premier League, duke qenë se paraqitjet e shqiptarit kanë rënë në sy, sidomos me derbin e fundit.
Lacio s’ka ndër mend ta humbasë dhe, për këtë arsye, ka rinovuar kontratën me një shifër që mbërrin 300 mijë eurot në sezon, deri në 2021. Fitonte 96 mijë euro, por sigurisht që me rritjen e tij do të mbushen edhe xhepat. Gjithçka e merituar, ashtu sikurse edhe vendi i titullarit, sezonin tjetër.