Telegrafi

Klasikja franceze përfundon me gol dhe karton të kuq: PSG triumfon ndaj Marseilles

Paris Saint-Germain ka fituar derbin ndaj Marseilles me rezultat 1-0 në kuadër të javës së 11-të në Ligue 1.

Rasti i parë në ndeshje ishte për kampionin në fuqi, ku pas vetëm gjashtë minutash, Achraf Hakimi lëshoi një goditje të fuqishme, por portieri Pau Lopez bëri pritje fantastike.

Më pas dy skuadrat e përqendruan lojën në mesfushë, duke mos arritur të krijonin ndonjë rast serioz.

Kur po përfundonin 45 minutat e parë, Neymar ia doli ta shënonte golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 45+1-të, me një asistim nga Kylian Mbappe.

Në pjesën e dytë, Marseille filloi të këndellej dhe bëri rastin e parë serioz nëpërmjet Amine Harit (52’), por Gianluigi Donnarumma ishte i vëmendshëm.

Më pas, mysafirët mbetën me dhjetë lojtarë në fushë, shkaku që Samuel Gigot u përjashtua me karton të kuq për një ndërhyrje brutale në minutën e 72-të.

PSG e pati më pas më të lehtë të zhvillonte lojën e saj, por nuk ia doli të realizonte më.

Pas javës së 11-të, PSG është lider me 29 pikë, ndërsa në xhiron e 12-të do të takohet me Ajaccio. /Telegrafi/


Standings provided by Sofascore