Telegrafi

Klasifikimi dhe pasqyra klinike e atakut truror

Ass. dr. Myrvete Kabashi, mr. sci.
neuropsikiatre
Poliklinika “Medikus-Naz”
tel. 044 147 427; 044 752 380
e-mail: kabashi.m@hotmail.com

Ataku zhvillohet për shkak të gjakderdhjes spontane(intracerebrale ose subarahnoidale) ose iskemisë nga çrregullimi hemodinamik, trombozë ose emboli, të ndërlidhura me ndryshimet në vetë enët e gjakut ose sëmundje të zemrës (ataku truror iskemik-infarkti truror). Ataku iskemik transitor (AIT) truror është në të vërtetë ngjarje e njëjtë si ataku iskemik truror, por simptomet tërhiqen për 24 orë. Kur vendoset diagnoza e AIT ose infarktit truror, hapi i ardhshëm është të përcaktohet vendi dhe arteria e cila është atakuar. Kjo varet nga njohuritë bazike për neuroanatominë, anatominë cerebrovaskulare dhe sindromet të cilat zhvillohen te infarkti trunor.

Iskemia në rrjedhën karotide dhe vertebrobazilare

Trurin e vaskularizojnë dy arterie të brendshme karotide dhe dy arterie vertebrale të cilat anastomozohen në bazën e turit duke formuar rrethin e Willisit. Arteriet karotide vaskularizojnë 2/3 e përparme të trurit (qarkullimi i përparmë), rrjedha vertebrobazilare vaskularizon 1/3 e pasme të trurit (qarkullimi i pasmë).

Okluzioni i arteries së brendshme karotide, nëse është simptomatike, zakonisht jep simptomat e iskemisë së regjionit të arteries së mesme trunore, por arteria oftalmike dhe arteria cerebri anterior mund të jenë të përfshira gjithashtu, varësisht nga qarkullimi kolateral. Okluzioni i arteries carotis interna mund të shkaktojë verbim monokular, çrregullim të fushës së të pamurit, hemiparezë kontralaterale, hemihipestezion, disfazion ose afazion, dobësim të këmbës kontraleterale ose shputës, abuli, inkontinencë.

Iskemia në rrjedhën vertebrobazilare përfshin kombinim të simptomeve: tetraparezë, diplopi, vertigo, verbim kortikal, ataksi cerebellare. Më së shpeshti është vështirë të përcaktohet me saktësi se cila arterie është shkak i iskemisë, sepse vende të caktuara janë të vaskularizuara nga rrjedha karotide dhe vertebrobazilare. Simptomat të cilat janë prezente në raste të iskemisë karotide dhe vertebrobazilare janë: hemipareza, hemihipestezion, dizartri.

Sindromat te infarkti truror

Sindromat e zhvilluar nga infarkti trunor bazohen në pasqyrën klinike dhe mundë të redefinohen përmes tomografisë së kompjuterizuar të trurit. Ato japin informacion për lokalizimin anatomik dhe vaskular, etiologjinë dhe prognozën.

Sindromat më të shpeshta klinike te infarkti trunor janë:
SQTA – sindromi total i qarkullimit anterior, në 20% të rasteve;
SQPA – sindromi parcial i qarkullimit anterior, në 30% të rasteve;
SQL – sindromi i qarkullimit lakuar, në 25 % të rasteve;
SQP – sindromi i qarkullimit posterior, në 25% të rasteve.
Në përafërsisht 1% e të sëmurëve me infarkti trunor nuk i përgjigjet asnjërit nga këto sindrome.

Infarktet trunore të regjioneve kufitare

Infarktet trunore të regjioneve kufitare janë infarkte në zona kufitare në mes të dy territoreve arteriale. Ekzistojnë tre regjione të rëndësishme kufitare:

– territori kufitar (sipërfaqësor), a.cerebri media dhe a.cerebri anterior në regjionin frontoparasagital (zona e përparme kufitare);

– territori sipërfaqësor në mes të a.cerebri media dhe a.cerebri posterior në regjionin parietookcipital (zona e pasme kufitare);

– territori sipërfaqësor i arterieve penetrante dhe degëve të thella lentikulostriate të a.cerebri media në masën e bardhë periventrikulare (zona kufitare subkortikale).

Infarktet trurore në regjionet kufitare kryesisht janë të shkaktuara nga zvogëlimi i qarkullimit të gjakut, i cili paraqitet nga rënie e menjëhershme e tensionit arterial (si te arresti kardiak)ose te okluzioni i arteries carotis interna. /Telegrafi/