Një 22-vjeçar kaloi tre ditë i bllokuar në fund të një pusi 12 metra të thellë, sepse banorët e fshatit që dëgjuan thirrjet për ndihmë menduan se ishin ulërima të një fantazme dhe nuk iu afruan pusit.
Nuk dihet me siguri çfarë po bënte Liu Chuanyi, një i ri nga Kina, në pyllin në kufirin mes Tajlandës dhe Mianmarit, por ai disi ra në një pus të braktisur në periferi të një fshati të vogël.
Autoritetet besojnë se ai ishte duke udhëtuar nëpër pyll kur ra në gropën 12 metra të thellë, duke pësuar dëmtime serioze, si një frakturë në kyçin e dorës dhe një tronditje cerebrale, shkruan odditycentral.
Në fillim, ai filloi të thërriste për ndihmë sa më fort që mundej, por me kalimin e orëve kuptoi se do të lodhej shpejt dhe do të pakësonte shanset për t’u shpëtuar. Ai kishte të drejtë. Kaloi tri ditë dhe tri net në fund të pusit, pa ushqim dhe ujë, dhe po të mos kishte kursyer energjinë, ndoshta do të kishte vdekur atje.
Pas thirrjeve të dëshpëruara për ndihmë kur ra fillimisht në pusin e braktisur, Liu Chuanyi filloi të thërriste për ndihmë vetëm një herë në orë për të kursyer forcën. Megjithatë, thirrjet mbetën pa përgjigje jo sepse askush nuk i dëgjoi, por sepse ata që i dëgjuan ishin të bindur se ishin thirrjet e një fantazme. Në vend që t’i afroheshin pusit, banorët e afërt qëndruan larg, të frikësuar se mund të sulmoheshin nga shpirtrat.
Për fatin e mirë të Liut, dikush njoftoi policinë për tinguj të çuditshëm që vinin nga pylli dhe, gjatë hetimeve në zonë, ata zbuluan pusin ku ai kishte rënë.
Operacioni i shpëtimit zgjati rreth 30 minuta, por trupi i tij i rraskapitur tregonte qartë se sa shumë kishte duruar gjatë tri ditëve dhe netëve pa ushqim e ujë.
Ende ka shumë gjëra të paqarta rreth kësaj historie, si arsyeja e pranisë së Liu Chuanyt kaq larg nga vendi i tij, por autoritetet planifikojnë ta marrin në pyetje sapo të dalë nga spitali. /Telegrafi/