Site icon Telegrafi

Kina zgjedh kryeministër aleatin e Xi Jinping

Li Qiang është zgjedhur zyrtarisht nga parlamenti si kryeministër i ri i Kinës. Tani, ai është zyrtari i dytë më i lartë në sistemin politik të vendit.

Ish-udhëheqësi i Partisë Komuniste të qytetit më të madh të vendit, Shangait, do të udhëheqë Qeverinë, duke zëvendësuar Li Keqiang, i cili doli në pension.

Ai mori pothuajse të gjitha votat e më shumë se 2.900 delegatëve të Kongresit Kombëtar Popullor (NPC).

Li Qiang është aleat i ngushtë i presidentit kinez, Xi Jinping. Të dy kanë punuar së bashku – Li ishte shefi i kabinetit të Xi në fillim të viteve 2000 – kur Xi ishte shef i partisë në provincën Zhejiang. Li u emërua më pas sekretar partie i Shangait në vitin 2017.

Gjithashtu, të premten Xi Jinping iu dha mandati i tretë pesëvjeçar si president i Kinës.

Vota për të në Kongresin ishte unanime, me 2,952 pro dhe asnjë kundër. Anëtarët e këtij Kongresi emërohen nga partia në pushtet.

Xi, 69 vjeçar, e kishte emëruar veten për një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë në tetor, duke thyer një traditë sipas së cilës udhëheqësit kinezë e dorëzojnë pushtetin një herë në dekadë.

Një kufi i vendosur për dy mandate për presidencën e Kinës u fshi nga Kushtetuta kineze më herët, duke nxitur sugjerime se ai mund të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.

Mandati i ri i Xi dhe emërimi i njerëzve të afërt me të në postet kryesore nënvizon monopolin e tij mbi pushtetin politik kinez, duke eliminuar çdo kundërshtar të mundshëm ndaj agjendës së tij tepër nacionaliste për ndërtimin e Kinës si rivali më i lartë politik, ushtarak dhe ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe sfiduesit më të madh të rendit botëror demokratik të udhëhequr nga Uashingtoni. /rel/

Exit mobile version