Site icon Telegrafi

Kina shkarkon ministrin e Jashtëm pas mungesës së pashpjegueshme

Kina ka shkarkuar 57-vjeçarin Qin Gang si ministër i Jashtëm, më pak se shtatë muaj pasi ai u emërua në këtë post, raporton BBC.

Roli i ministrit të Jashtëm të Kinës do të merret nga shefi i Punëve të Jashtme të Partisë Komuniste, Wang Yi, i cili ka shërbyer më parë si ministër i Jashtëm, transmeton Telegrafi.

Lajmi nuk është befasues pasi mungesa e gjatë e Qin nga opinioni dhe heshtja e ministrisë së tij për këtë çështje, kanë nxitur spekulime.

Angazhimet e fundit të bëra publike të 57-vjeçarit ishin më 25 qershor. Qin mori postin e ministrit dhjetorin e kaluar dhe konsiderohet një ndihmës i besuar i presidentit kinez Xi Jinping.

“Legjislatura më e lartë e Kinës ka votuar për të emëruar Wang Yi si ministër të Jashtëm. Qin Gang është shkarkuar si ministër i Jashtëm”, raportoi shkurt agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua.

Asnjë arsye nuk u dha për shkarkimin, por raporti tha se presidenti Xi nënshkroi një dekret që miratonte këtë lëvizje. /Telegrafi/

 

Exit mobile version