Kina njoftoi të dielën vdekjen e saj të parë të re nga COVID-19 në gati gjysmë viti pasi masa të reja të rrepta janë vendosur në Pekin dhe në të gjithë vendin për të shmangur shpërthimet e reja.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vdekja e 87-vjeçarit nga Pekini ishte e para e raportuar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë që nga 26 maji, duke e çuar numrin total të vdekjeve në 5227.
Vdekja e mëparshme u raportua në Shangai, i cili pësoi një rritje të madhe të rasteve gjatë pranverës.
Kina njoftoi të dielën 24,215 raste të reja të zbuluara gjatë 24 orëve të mëparshme, shumica dërrmuese e tyre asimptomatike.
Ndërsa Kina ka një shkallë të përgjithshme vaksinimi prej më shumë se 92% pasi ka marrë të paktën një dozë, ky numër është dukshëm më i ulët në mesin e të moshuarve – veçanërisht atyre mbi moshën 80 vjeç – ku bie në vetëm 65%.
Komisioni nuk dha detaje për statusin e vaksinimit të të ndjerit të fundit.
Kjo dobësi konsiderohet një arsye pse Kina i ka mbajtur kryesisht kufijtë e saj të mbyllur dhe po i përmbahet politikës së saj “zero-COVID” që kërkon të “fshijë” infeksionet përmes bllokimeve, karantinave, gjurmimit të rasteve dhe testimit masiv, pavarësisht ndikimit në jetën normale dhe ekonomisë dhe zemërimit në rritje të publikut ndaj autoriteteve.
Me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh, Kina ka raportuar zyrtarisht vetëm 286.197 raste që kur virusi u zbulua për herë të parë në qytetin qendror kinez të Wuhan në fund të vitit 2019.
Megjithatë, shifrat e Kinës janë vënë në pikëpyetje, bazuar në reputacionin e krijuar prej kohësh të Partisë Komuniste në pushtet për manipulimin e statistikave, mungesën e shqyrtimit të jashtëm dhe një kriteri shumë subjektiv për përcaktimin e shkakut të vdekjes. /Telegrafi/