Site icon Telegrafi

Kim i Koresë së Veriut thërret “një takim të madh partiak për të diskutuar strategjinë për të ardhmen”

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thirrur një takim të nivelit të lartë të Partisë së Punëtorëve në pushtet për të diskutuar planifikimin strategjik për muajt e ardhshëm, njoftuan mediat shtetërore të martën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, mbledhja vjen pasi regjimi sekret i Kim përballet me sfida të mëdha ekonomike për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, fatkeqësive natyrore të shkaktuara nga klima dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga pandemia e coronavirusit.

Kim, i cili po feston 10-vjetorin si lider suprem, ishte i pranishëm në takimin e Komitetit të 8-të Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë kur filluan bisedimet në kryeqytet të hënën, tha agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Sipas raportit, “Zbatimi i politikave më të rëndësishme partiake dhe shtetërore për vitin 2021 duhet të shqyrtohet”, me qëllim që ta çojë Korenë e Veriut në “fazën tjetër të fitores”.

Detajet se çfarë do të diskutohej nuk u publikuan dhe nuk dihet se sa ditë do të zgjasë takimi.

Komiteti Qendror është një organ drejtues i partisë, kreu i së cilës është Kim.

Kim i ka përdorur shpesh këto takime të partive kryesore për të nxjerrë direktiva të reja sigurie dhe për të shpjeguar qëndrimin e tij mbi marrëdhëniet me SHBA-në dhe Korenë e Jugut.

Në një kongres partie në janar të këtij viti, ai i quajti Shtetet e Bashkuara “armiku më i madh” i tyre dhe njoftoi zgjerimin e arsenalit bërthamor të regjimit.

Këtë herë, Uashingtoni do të jetë sërish në vëzhgim për çdo deklaratë në lidhje me programin bërthamor të Phenianit.

Negociatat midis dy palëve nuk kanë bërë asnjë përparim që nga një takim i dështuar midis ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe Kim në Hanoi në shkurt të vitit 2019.

Pheniani deri më tani ka reaguar negativisht ndaj propozimeve për bisedime nga administrata e Joe Biden. /Telegrafi/

Exit mobile version