Telegrafi

Kim Jong-un mbikëqyr lëshimin e “raketës monstruoze”

Kim Jong-un mbikëqyri personalisht lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), njoftuan sot mediat shtetërore të Koresë së Veriut.

“Lansimi i një lloji të re të raketës balistike ndërkontinentale Hwasongpho-17 u krye më 24 mars nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Kim Jong-un”, shkruan KCNA, siç raporton AFP.

Menjëherë pas njoftimit, KCNA publikoi një video që tregonte Jong-un, me një xhaketë lëkure dhe syze të zeza, duke dalë me krenari nga një hangar i madh teksa u shpjegon diçka të rëndësishme zyrtarëve të tij.

Pas kësaj, raketat shfaqen dhe pastaj përsëri Kim Jong-un dhe zyrtarët shikojnë orën. Udhëheqësi i Koresë së Veriut përfundimisht heq syzet e diellit dhe tund kokën për të sinjalizuar fillimin e stërvitjeve ushtarake.

“Raketa, e lëshuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Phenianit, fluturoi një lartësi maksimale prej 6248 km dhe përshkoi një distancë prej 1090 km në 4052 sekonda përpara se të ulej saktësisht në një zonë të paracaktuar në Detin e Japonisë”, njoftoi KCNA.

Hwasong-17 është një ICBM e madhe, e prezantuar për herë të parë në tetor të vitit 2020 dhe analistët e cilësojnë se bëhet fjalë për një “raketë monstruoze”, e cila asnjëherë më parë nuk është lansuar me sukses.

SHBA dhe Koreja e Jugut kanë paralajmëruar se Pheniani po përgatitet të lëshojë një raketë balistike ndërkontinentale në rreze të plotë për herë të parë që nga viti 2017, në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Telegrafi/