Ri Chun Hee, spikerja kryesore e lajmeve në televizionin shtetëror në Korenë e Veriut, mori një shtëpi luksoze si dhuratë nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Ri Chun Hee (78) është bërë një nga zërat më të famshëm në Korenë e Veriut, duke lexuar lajmet më të rëndësishme në dekadat e fundit – testet bërthamore dhe raketore, si dhe vdekjen e ish-liderëve.
Prezantuesja, e cila u mbiquajtur “Zonja Rozë” jashtë vendit për veshjet e saja të ndritshme dhe tradicionale, u bë temë e mediave zyrtare të Koresë së Veriut pasi Kim Jong-un i dha asaj një banesë luksoze dhe i kërkoi të vazhdonte të shërbente fuqishëm si zëri partisë në pushtet.
Ekspertët besojnë se Kim po përpiqet të rrisë mbështetjen që mori nga elita në vendin e tij, i cili po përballet me pasojat e pandemisë dhe ngërçit diplomatik.
Kim tha se pret që prezantuesja e moshuar “të vazhdojë energjikisht punën e saj me shëndet të mirë, siç i ka hije një zëdhënëseje partie”.
Kim u takua me Ri në Phenian, në një zonë banimi të sapondërtuar buzë lumit që u përurua të mërkurën. KCNA thekson se shtëpitë iu dhuruan udhëheqësit dhe të tjerëve që dhanë një “kontribut të spikatur në shërbim të shtetit”.
Rezidenca e gjyshit të Kim dhe themeluesit të shtetit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, ditëlindja e 110-të e të cilit festohet të premten, ishte gjithashtu e vendosur në zonën e lagjes së re të banimit deri në vitet shtatëdhjetë. Është festa më e rëndësishme shtetërore në Korenë e Veriut, e cila është qeverisur me radhë nga tre breza të familjes Kim që nga themelimi i saj në vitin 1948.
Ri tha se shtëpia e saj e re vepron si hotel dhe se e gjithë familja e saj “e kaloi gjithë natën në lot falënderimi për vullnetin e mirë të liderit”, raporton KCNA.
Ajo ka qenë në televizionin shtetëror që nga fillimi i viteve 1970, kur vendi drejtohej ende nga Kim Il Sung dhe gradualisht është bërë fytyra kryesore e propagandës zyrtare. /Telegrafi/