Vëllaznimi përmes një njoftimi të postuar në rrjetet e tyre sociale kanë bërë të ditur, që kanë arritur një marrëveshje që të vazhdojnë bashkëpunimin me trajnerin Ardian Mema edhe për sezonin 2024/2025.
Vëllaznimi që kishte një sezon të mirë në Ligën e Parë, duke e mbyllur në vendin e katërt, ndërsa këtë vit do të tentojë ngjitjen në elitë.
Në njoftimin e tyre klubi ka shkruar : “Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se skuadra jonë sot ka arritur marrëveshje me kryetrajnerin Ardian Mema që të vazhdojmë së bashku edhe për edicionin 2024\25.”
Klubi nga Gjakova, marrëveshjen e bashkëpunimit me trajnerin nga Tirana e kishte arritur në muajin tetor të vitit 2023, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin Megzon Visoka.
Përveç klubit të Vëllaznimit Mema ka punuar me Skënderbeun, Flamurtarin, Tiranën e Kastriotin në Superioren shqiptare.
Kujtojmë që në 27 ndeshje sa i kishte zhvilluar Vëllaznimi në kuadër të Ligës së Parë të futbollit të Kosovës, gjatë sezonit 2023/2024, kishte arritur t’i regjistrojë 10 fitore, 7 barazime, e t’i pësojë 10 humbje, duke përfunduar kështu në pozitën e 4-të të radhitjes tabelare të Ligës së Parë. /Telegrafi/