Site icon Telegrafi

Kështu mund të duket PSG me Angel Di Marian (Foto)

Sipas mediave britanike tashmë ekziston marrëveshja e dy klubeve për çmimin e argjentinasit dhe janë në finalizim e sipër detajet e marrëveshjes.

27-vjeçari nuk ka arritur të tregojë shumë në Old Traford, por PSG beson se ai do të arrinte të kthente shkëlqimin e vjetër nëse do t’u bashkohej atyre në sezonin e ardhshëm.

Duke u bazuar në fjalët e trajnerit Laurent Blanc, ju sjellim tri formacionet e mundshme që trajneri francez mund t’i përdorë me transferimin e Di Marias te PSG.

1. 4-3-3

PSG shpeshherë është rreshtuar me sistemin 4-3-3 nën urdhërat e Blanc dhe Di Maria do të ishte një alternativë shumë më efektive se Ezequiel Lavezzi në krahun e majtë. Të dy lojtarët kanë shpejtësinë, por Di Maria është një lojtar i cili bashkëpunon më shumë me pjesën tjetër të ekipit.

Di Maria është një driblues i shkëlqyer, po ashtu ai me aftësitë e tij arrin të krijojë shpeshherë mundësi reale për ekipin e tij, pasi arrin të zhbllokojë mbrojtjen kundërshtare me driblimet dhe pasimet e tij mjaft të sakta.

Në krahun tjetër është Lucas Moura, i cili është po aq i mirë dhe efikas të prishë sistemet defensive të mbrojtjes kundërshtare. Ndërsa mesfusha do të jetë e ndërtuar nga treshja Javier Pastore, Marco Verratti dhe Blaise Matuidi, të cilët së bashku kanë inteligjencën, mashtrimin dhe përkushtimin.

2. 4-3-1-2

Ky sistem i jep mundësinë Blancut që të përdorë dyshen Zlatan Ibrahimovic dhe Edinson Cavani në pozitat e tyre të preferuara. E themi këtë pasi Cavani shpeshherë është dashur të luajë në një rol tjetër, rol i cili nuk ishte i përshtatshëm për të.

Di Maria mund të jetë çelësi i cili arrin të hapë mundësin që dyshja e frikshme të bashkohet dhe kështu të japin një fryt më produktiv në sulm.

Aftësia e mesfushorit argjentinas për të manovruar me topin në çfarëdo pozite dhe distance është fenomenale. Dhe, kështu lidhja e mesfushës dhe sulmit do të ishte mjaft efektive dhe produktive te ekipi francez.

2. 4-4-2

Ky formacion do t’i ndihmonte PSG-së të kishte një kontroll më të madh në mesfushë, kontroll i cili mund të jetë vendimtar dhe vrasës duke llogaritur kundërsulmet nga Di Maria dhe Moura, apo topat që kjo mesfushë do të dërgonte drejt dyshes sulmuese.

Verratti dhe Matuidi, po ashtu janë lojtarë kyçë në këtë formacion, pasi ata së bashku kanë cilësi të ndalin kundërshtarët dhe të organizojnë lojën në qendër të fushës.

Në këtë sistem mund të përdoret edhe Pastore në të djathtë në vend të Mouras, normalisht nëse trajneri e shikon të nevojshëm një kontroll dhe posedim më të madh të topit nga ekipi i tij në një moment të caktuar.

Exit mobile version