Site icon Telegrafi

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi shqyrton sfidat në aspektin e sigurisë në Prizren

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të mërkurën, ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Në hapje të takimit, kryetari Shaqir Totaj ka falënderuar banorët e Komunës për qytetari aktive dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë në Prizren, raporton Telegrafi.

“Gjatë këtij takimi, Policia e Kosovës informoi lidhur me vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes së sigurisë në territorin e Komunës së Prizrenit, për periudhën gusht – dhjetor”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Aty theksohet se Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka paraqitur informatë lidhur me trajtimin e qenve endacakë dhe masat preventive. Pastaj ka vijuar diskutimi për strategjinë për sigurinë në institucionet edukative arsimore në Komunën e Prizrenit.

“Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale informoi lidhur me trajtimin e lëmoshë kërkuesve (fëmijë të keqpërdorur si lypsarë në rrugë) dhe masat preventive të ndërmarra”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Në këtë takim janë paraqitur edhe rekomandimet si dhe sugjerimet nga anëtarët e KKSB-së për organet gjegjëse për vitin 2024. /Telegrafi/

 

Exit mobile version