Site icon Telegrafi

Këshillat e ministres së Malajzisë shkaktuan reagime të ashpra: Burra, rrihni butësisht gratë e juaja kokëforta

Një ministre në qeverinë e Malajzisë ka shkaktuar reagime të ashpra, pasi ka këshilluar burrat që “butësisht” të rrahin gratë e tyre “kokëforta”, me qëllim që t’i disiplinojnë për shkak të sjelljeve të tyre të “pahijshme”.

Siti Zaila Mod Jusuf nga ministria për Çështje të Grave, Familjen dhe Zhvillimin e Shoqërisë, akuzohet se ka “normalizuar” dhunën në familje me thirrjet e saj drejtuar burrave, që me rrahje t’ju tregojnë grave sesa të fuqishëm janë dhe sa shumë “duan që ato të ndryshojnë”, transmeton Telegrafi.

Në videon e publikuar në Instagram me mbishkrimin “Këshillat e nënës”, ajo fillimisht këshilloi burrat të “disiplinojnë” gratë e tyre “kokëforta”. E në rast se gratë nuk “korrigjojnë” sjelljet e tyre, këshilla tjetër është që për tri ditë të mos flenë me to.

Megjithatë, nëse gruaja akoma refuzon të pranojë këshillat dhe të ndryshojë sjelljet, atëherë burri duhet të provojë qasjen fizike dhe butësisht ta rrah, për t’i treguar sa i fortë është dhe sa shumë dëshiron që ajo të ndryshojë.

Madje ajo ka këshilluar gratë që t’ju drejtohen burrave vetëm kur ato marrin leje për një gjë të tillë.

“Bisedoni me burrat kur janë të qetë, kur përfundojnë me ushqimin, lutjet dhe janë më të relaksuar”, shtoi ajo.

E këshillat e saj kanë shkaktuar reagime të ashpra, ku organizata të ndryshme për barazi gjinore akuzuan Sitin se po “normalizon” dhunën në familje – duke kërkuar nga ajo që të jap dorëheqje. /Telegrafi/

Exit mobile version