Site icon Telegrafi

KESCO: Tarifat e energjisë elektrike nuk janë rritur, shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë

Kompania Kosovare e Distribucionit të Energjisë (KESCO) ka sqaruar konsumatorët se tarifat përfundimtare të energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar.

Ndërkaq, tarifat bazë janë rishikuar me një rritje prej rreth 15% në krahasim me periudhën 2022-2023, si pasojë e një vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të marrë më 1 prill 2023.

Përveç rritjes së tarifave, KESCO dëshiron të theksojë se rritja e vlerës së faturave që konsumatorët kanë përjetuar këtë dimër lidhet drejtpërdrejt me shtimin e përdorimit të energjisë elektrike, veçanërisht për ngrohje.

Lexo po ashtu Faturat e larta të energjisë elektrike, Abdixhiku kritikon Qeverinë Kurti: Paaftësia kushton

“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve”, ka njoftuar KESCO.

“ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh”.

Lexo po ashtu Faturat e larta, Tahiri: Kryeministri babadimër shpërndan me një dorë, e grabitë me dy duar

Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura.

Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh.

KESCO gjithashtu thekson se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte subvencionuar ata që kishin arritur të kursenin energji, vendim ky që nuk vlen më për këtë vit.


Exit mobile version